Indi, dënim me vdekje 11 myslimanëve

01/03/2011 09:55

Njëmbëdhjetë persona janë dënuar me vdekje në Indi pasi u shpallën fajtorë për vënien e zjarrit ndaj një treni pasagjerësh në qytetin e Godhrës, në vitin 2002, ku si pasojë gjetën vdekjen dhjetra pelegrinë hindu.

Për të njëjtën cështje, 20 persona të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e shtetit Gujarat.

Treni “Sabarmati Express” u sulmua nga një grup keqbërësish myslimanë, të cilët vranë 59 persona, shumica e të cilëve ishin pelegrinë hindu.

Ngjarja coi më pas në protestat më të dhunshme që janë regjistruar ndonjëherë në Indi, në të cilat humbën jetën mbi 1 mijë persona, shumica e të cilëve myslimanë.

Autoritetet e Gujaratit u kritikuan se nuk kishin bërë aq sa duhet për të parandaluar protestat. Javën e kaluar gjykata shfajësoi 63 nga të akuzuarit, ndërkohë që 11 personat e dënuar janë të gjithë myslimanë.

Atentatorët thuhet se fillimisht detyruan trenin me pelegrinë hindu që kthehej nga qyteti i Ajodhjës të ndalonte dhe më pas i vunë zjarrin një prej vagoneve të tij.

Top Channel