Dhuna privon nga arsimimi 28 milionë fëmijë

01/03/2011 15:50

Konfliktet dhe luftërat nëpër botë privojnë 28 milion fëmijë nga arsimimi në botë, për shkak të dhunës seksuale dhe sulmeve mbi shkollat, lajmëroi një organizatë, pjesë e OKB-së.

Vendi më problematik është Republika Demokratike e Kongos, i quajtur prej “Unesco”-s si “kryeqyteti botëror i përdhunimeve”. Sipas të dhënave, 1/3 e viktimave të sulmeve seksuale në vendin afrikan janë minorenë.

Në raportin shqetësues shkruhet se nëse OKB dëshiron të arrijë objektivin e saj për edukimin deri në vitin 2015, Afrika ka nevojë për dy milion mësues të rinj.

Pavarësisht se NATO raporton për ulje të dhunës në Afganistan, sulmet mbi shkolla janë rritur me 77%, nga 347 në vitin 2008 në 613 në 2009-n.

Si pjesë e lëvizjeve separatiste, 220 shkolla janë shkatërruar e plaçkitur në Jemen gjatë dy viteve të fundit. Në raport, shkruhet për 21 vende të botës së tretë që shpenzojnë shumë më tepër për ushtrinë se sa për arsimin.

Çadi shpenzon deri katër herë më shumë për të blerë armë, ndërsa në dhjetë vitet e fundit, vetëm Etiopia ka prodhuar katër milionë analfabetë të rinj.

Top Channel