BE pranon gabimet

01/03/2011 17:10

Një “mea culpa” e paprecedentë vjen nga komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Shtefan Fyle sa i takon përkrahjes që Europa i ka dhënë, sipas tij, dikatorëve në Afrikën e Veriut.

Siç shkruan e përditshmja online “EuObserver”, ai u tha europarlamentarëve në Bruksel se Europa nuk ka folur me zë të fortë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcave demokratike në rajon”.

“Shumë prej nesh – tha ish diplomati çek – ranë pre e supozimit se regjimet autoritare janë një garanci për stabilitetin në rajon. Europa duhet të jetë krah protestuesve pro-demokracisë dhe jo krah diktatorëve që po vrasin shtetasit e tyre. Europa duhet t’i përgjigjet këtyre zhvillimeve njësoj siç bëri me regjimet në lindje të kontinentit të vjetër”.

Sipas tij, shqetësimet për shtimin e emigrantëve, aksesin për naftën apo një shtim në dukje i islamikëve, nuk duhet ta parandalojë Europën nga mbështetja për demokracinë.

Fyle foli për një përqasje të re, për të cilën ka apeluar edhe Parlamenti Europian.

Ai tha se presidenti i Komisionit, Zhose Manuel Barroso ka folur për një nismë të re: “Mesdheun e Jugut”.

Edhe shefi i diplomacisë gjermane, Guido Vestervelle apeloi gjithashtu për një pakt jug-veri mes Europës dhe Afrikës së Veriut.

Është hera e parë që një komisioner ofron apologjinë për strategjinë e bllokut.

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kethrin Eshton ka heshtur sa i takon çështjes së mbështetjes për regjimet e Afrikës së Veriut.

Top Channel