Trashëgimia, “50 më pak”

28/02/2011 20:40

Ndërkohë që një mori ndërtesash herë me e herë pa kriter i shtohen Shqipërisë, shumë të tjera, pasuri kombëtare, ose më saktë ish të tilla, po zhduken në heshtje prej shekujsh tashmë.

Për të mos i zhdukur të paktën nga kujtesa kolektive, por edhe për të sensibilizuar opinionin publik rreth kësaj cështjeje delikate të trashëgimisë sonë, është celur ekspozita “50 më pak”.

Një eskpozitë përkujtimore e objekteve që nuk ekzistojnë më, sic e ka quajtur studiuesi Artan Lame, i cili është edhe kurator i saj.

Janë 50 fotografi të 50 objekteve, mes të tjerash kisha, xhami, godina e ura, që janë shkatërruar në qytete të ndryshme të vendit.

“Ekspozita mundohet të përmbledhë një grup perlash të trashëgimisë shqiptare që nuk ekzistojnë më, prandaj secila ka dhe një fasho të zezë. Jam përpjekur të mbledh nga periudhat e të gjitha qeverive, madje edhe që kur shqiptarët nuk ekzistonin, sepse prishjet kanë filluar shekuj më parë”, deklaron Lame.

Ekspozita “50 me pak” është celur nga Qendra shqiptare e Trashëgimisë me mbështetjen e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë. Ajo do të qendrojë e hapur pranë hollit të Universitetit Europian të Tiranës deri në mes të muajit mars.

Top Channel