Iran, arrestohen dy liderat e opozitës

28/02/2011 20:00

Dy liderat kryesorë të opozitës iraniane, Mir Hussein Mousavi dhe Mehdi Karroubi, së bashku me gratë, u arrestuan gjatë mbrëmjes në banesat e tyre.

Sipas burimeve të “AFP”-së, ata u morrën me forcë nga shtëpitë prej forcave policore, në dy aksione të ndërmarra në mënyrë paralele, në kryeqytetin Teheran.

Djali i Karroubit tha se nuk e ka idenë se ku e kanë dërguar babain e tij, ndërsa një faqe interneti e grupimit të Mousavi-t pretendon se ata janë dërguar në burgun Heshmatijeh, në kryeqytet.

Dy javë më parë, të dy burrat ishin vendosur në arrest shtëpiak, për shkak të tentativave të tyre për të organizuar një manifestim solidarizues me popullin egjiptian e tunizian, më parë gjatë shkurtit.

Autoritetet nuk dhanë leje për manifestimin dhe vendosën dy liderat e opozitës në arrest shtëpie, pasi u vlerësua se ata pretendonin të krijonin trazira në vend.

Top Channel