Gërdeci, “gjyq cdo ditë”

28/02/2011 16:25

“Të dalë në shesh e vërteta, duam që gjyqi të bëhet i pandërprerë sepse po mbushen tre vjet dhe asnjë nuk është para përgjegjësisë”, deklaron Feruzan Durda, banor i Gërdecit.

Por ndërsa familjarët e viktimave të Gërdecit me parrullën “drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar”, zgjodhën një mënyrë tjetër të protestuari për zvarritjen e procesit, brenda në sallë me jo më pak protesta u zhvillua edhe seanca e radhës.

Nga njëra anë familjarët kërkojnë që gjyqi të zhvillohet i pandërprerë dhe jo sikurse po procedohet me dy herë në javë, ndërsa nga ana tjetër, avokatët e të pandehurve kërkuan mos dëgjimin e 5 ekspertëve që kanë kryer akt-ekspertimin tekniko-ushtarak dhe ekonomiko-financiar mbi dëmet që solli tragjedia e 15 marsit e për rrjedhim, sipas tyre, ribërjen e një ekspertimi të dytë.

Sipas avokatëve, njëri nga ekspertët kishte konflikt interesi pasi djali i tij është punësuar 20 ditë pas tragjedisë në organin e akuzës, ndërsa tjetri para se të kryente ekspertimin kishte lënë punën.

Gjykata u tërhoq për të marrë një vendim dhe sikurse ndodh më së shumti në këtë proces, edhe kjo kërkesë e avokatëve mbrojtës u rrëzua si e pabazuar në ligj.

Sërish si gjithmonë gjykata nxori jashtë kamerat për të dëgjuar e qetë përgjigjjet e 130 pyetjeve që disa seanca më parë avokatët e të pandehurve depozituan pranë trupës gjyqësore.

Por, ashtu sikurse ekspertët ishin shprehur edhe ne raportet e tyre me shkrim, ata nuk rezervuan për avokatët ndonjë përgjigjje jashtë kësaj linje.

Nga ana e tyre, avokatët e ngritën zërin disa herë gjatë këtij procesi, pasi sipas tyre ekspertët nuk i ishin përgjigjur pyetjes, apo e kishin anashkaluar atë.

Në raportin e firmosur nga pesë ekspertët që prokuroria lexoi pak javë më parë thuhej se “Albademil” nuk ishte e certifikuar për demontim, që për këtë proces ishte lidhur një kontratë formale mes Patrik Henrit dhe Ylli Pinarit dhe se mjaft urdhëra që nga përzgjedhja e municioneve deri tek transporti ishin bërë verbalisht.

Menjëherë pas kësaj, avokatët kërkuan prezencën në sallë të të pestë ekspertëve, ndërsa pritet që nga përgjigjjet e këtyre të fundit në sallë të rihapet sërish qëndrimi i mbrojtjes për riekspertim.

Top Channel