Tetë vende arabe në revolta

26/02/2011 09:25

Ndërsa me qindra mijëra njerëz në vendet arabe pritet të zbresin në rrugë ditën e sotme, “Associated Press” solli atë që ishte pasqyra e protestimeve të së premtes, në tetë vendet arabe të përfshirë nga trazirat.

Libi – Situata bëhet gjithmonë e më dramatike, ndërsa raportet flasin për mijëra të vdekur. Gaddafi ka punësuar mërcenarë që qëllojnë mbi turmat, ndërsa u shfaq edhe një herë duke theksuar luftën deri në fund. OKB lajmëroi gjatë mbrëmjes për shpalljen e sanksioneve ndaj Tripolit zyrtar.

Irak – Me mijëra marshuan ndaj godinave qeveritare dhe u përplasën me forcat e sigurisë në shumë qytete irakene. 12 njerëz mbetën të vrarë dje, në atë që ishte revolta më e madhe antiqeveritare që prej fillimit të trazirave në botën arabe. Protestat, me karakter të qartë ekonomik, janë më të forta në zonat sunite, të pakënaqura nga drejtimi i një qeverie shiite.

Jemen – Forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj mijëra demonstruesve në qytetin port të Adenit, duke vrarë 4 persona dhe plagosur 19 të tjerë, në atë që është përplasja e radhës midis popullisisë dhe presidentit të përkrahur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Egjipt – Me mijëra rikthehen në sheshin kryesor të Kajros, për t’i kërkuar regjimit ushtarak zbatimin e menjëhershëm të reformave të premtuara pas rënies së regjimit të Mubarak-ut. Protesta për lirimin e të burgosurve politikë, ende në burgje.

Bahrein – Me dhjetëra mijëra në sheshin kryesor të kryeqytetit, për të kërkuar koncensione politike nga Mbreti në pushtet. Bahreini, vendi i vetëm ku protestat nuk kanë një karakter kryesor ekonomik, pret një prej bazave më të rëndësishme amerikane në Lindjen e Mesme.

Jordani – Rreth 4 mijë protestues u bashkuan në kryeqytetin Aman, në atë që ishte turma më e madhe e mbledhur në dy muajt e protestave sporadike. Lideri kryesor i opozitës thotë se durimi është në shterim, pas ngadalësisë me të cilën Mbreti Abdullah II po ndërmerr reformat.

Tunizi – Policia në Tunizi qëlloi në ajër dhe lëshoi gaz lotsjellës ndaj mijëra protestuesve të bashkuar për të kërkuar largimin e Kryeministit Ghannouchi. Pas rrëzuan presidentin Ben Ali, tunizianët janë të pakënaqur me disa prej figurave të vjetra që drejtojnë qeverinë e përkohshme.

Arabia Saudite – Rreth 300 shiitë u mblodhën për të protestuar ndaj qeverisë sunite, në një marshim, në një qytet në lindje të vendit. Masa të rrepta sigurie, por nuk u regjistrua asnjë incident. Mbreti I vendit më të madh eksportues të naftës në botë ka premtuar reformat ë mëdha në sistemin shëndetësor, edukativ, lehtësimin e kredimarrjeve për shtëpi e biznese si dhe subvencione të tjera.

Top Channel