Policë shqiptarë në Afganistan

25/02/2011 19:55

Në Afganistan do të ketë edhe policë shqiptarë që do të trajnojnë vendasit në shërbimin e tyre ndaj ruajtjes dhe sigurisë.

Organizmat e huaja policore që operojnë në Shqipëri kanë certifikuar 16 oficerë shqiptarë si trajnues ndërkombëtarë të policisë, ku prova e parë e një pjese të tyre duket se do të jetë një zonë e nxehtë.

Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wolfarth u shpreh se kjo është një ditë historike për policinë shqiptare, ndërsa ministri i Brendshëm Basha e cilësoi misionin si një vazhdë të integrimit në BE.

“Për herë të parë Policia e Shtetit do të jetë jo vetëm implementuese e praktikave më të mira, por edhe përcuese e tyre në vende të ndryshme, duke filluar së shpejti me Afganistanin”, deklaroi Basha.

Pesë prej të trajnuarve do të nisen në Afganistan në mesin e këtij viti. Gjithashtu, janë trajnuar edhe 20 oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në lidhje me shërbimin më cilësor ndaj komunitetit.

Top Channel