Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic ka deklaruar se në radhët e komunitetit kombëtar po mbështetet gjithnjë e më shumë ideja për ndarjen e Kosovës.
“Ka gjithnjë e më shumë zyrtarë në qarqet ndërkombëtare që mendojnë se pavarësia e imponuar e Kosovës po has vështirësi dhe se duhet gjendur një zgjidhje e negociuar. Në këtë drejtim, ndarja e Kosovës është një prej opsioneve”, ka pohuar Jeremic.
Shefi i diplomacisë serbe ka nënvizuar se pas vendimit të GJND-së dhe rezolutës së OKB-së, Serbia ka luftuar shumë për të bindur vende të ndryshme të botës që të mos njohin pavarësinë.
“Pavarësisht pritjeve se ne do të ngrinim duart lart dhe se si pasojë e tërheqjes sonë do të vinin dhjetra njohje, ne nuk jemi dorëzuar dhe kjo gjë ka dhënë rezultat”, ka shtuar Jeremic.
Top Channel