Ushqimet, tregtarët vjedhin

24/02/2011 15:50

Nuk mjafton rritja e cmimeve të produketeve ushqimore për konsumatorin, por është shtuar dhe fenomeni i vjedhjes në peshë të produkteve ushqimore të paketuara.

Bashkë me Shoqatën e mbrojtjes së konsumatorit reporterët e Top Channel kanë blerë disa produkte ushqimore të paketuara, të cilat rezulotjnë nën peshë.

Ato janë vendosur me radhe në peshore dhe nga matja ka rezultuar se një pako makarona që në mabalazh tregon 500 gramë, realisht është 430 gramë, një pako oriz që thotë një kilogram është 900 gramë, si dhe buka që rezulton 520 gramë.

Toleranca për ushqimet e paketuara është vetëm 5 gramë, ndërkohë që atyre u mungojnë mesatarisht 70 gramë. Në fakt këto produkte janë peshuar bashkë me ambalazhin dhe duhet të peshonin 10 gramë më shumë.

Në një prej tregjeve të kryeqytetit furnizohen kryesisht tregtarët e zonave periferike dhe ato veriore, të cilët përvec cmimit të lartë duhet të përballojnë dhe abuzimin, ose në rastin më të mirë e blejnë një produkt nën peshë me një cmim pak më të ulët.

Shoqata për mbrojtjen e konsumatorit ankohet se për denoncime të tilla shpesh herë është përballur edhe me presione.

“Ne ligjin e kemi por nuk ka akte nënligjore që të vërë detyra dhe ka një mefshtësi tek organet e kontrollit. Mashtrimet në peshë ne i kemi denoncuar, por s’kemi marrë përgjigje. Madje, ka raste kur na kanë bërë presione”, deklaron Islam Cani, kryetar i shoqatës.

Vjedhje në sasi bëhet edhe për vajin, apo produkte të tjera të lëngshme, pre e të cilave bien më tepër tregtarët në zonat periferike të Tiranës dhe qytetet dhe fshatra të largëta, të cilët furnizohen në tregjet e shumicës në kryeqytet.

Për të justifikuar rritjen e cmimeve, si prodhuesit ashtu tregtarët, i referohen krizave globale ose tregut të lirë, në rregullat e të cilit qeveria nuk mund të ndërhyjë.

Por vjedhja përmes mashtrimit në peshë nuk i referohet asnjë rregulli dhe është një vepër penale e ndëshkueshme nga ligjet e shtetit, i cili këtu ka tërë hapësirën e mundshme për të ndërhyrë, por që deri tani nuk e ka bërë duke i lënë njerëzit të vidhen sa përmes cmimit, ashtu edhe përmes peshës.

Top Channel