Patozi: PS ruan imunitetin e Ramës

24/02/2011 19:00

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi ka deklaruar se PS refuzon të miratojë ndryshimet në rregullore për shkak të korrupsionit që ka përfshirë lidershipin e saj.

“Rregullorja nuk mund të jetë bibël që të mos ndryshohet. Mes nesh janë murrët e korrupsionit, me njërën palë që ka marrë kazmën për ta shembur dhe tjetrën që përpiqet që ta mbajë që të mos bjerë”, ka pohuar Patozi.

Duke folur në seancën parlamentare, ai ka theksuar se deputetët socialistë refuzojnë kufizimin e imunitetit për të mbrojtur interesat e kryetarit të tyre, i cili sipas tij është baroni i korrupsionit në Shqipëri.

“E vërteta është se rezistenca e PS mbron një filozofi të shëmtuar, që ka interesat e njerëzve të kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Interesat e kujt mbroni sot, kur qytetarët na duan të barabartë përpara ligjit?”, është shprehur Patozi.

“Sot mes mazhorancës dhe opozitës është frika e Edi Ramës se dara e ligjit do të shkulë dhëmbët e korrupsionit politik. Nuk ka asnjë arsye juridike përse PS e refuzon kufizimin e imunitetit, por synon ruajtjen e paprekshmërisë së imunitetit të baronit të korrupsionit në Shqipëri, që quhet Edi Rama. Kjo është kriza më e madhe morale e një opozite të sëmurë”, ka vijuar ai duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Më tej, Patozi ka bërë të ditur se PD nuk do të tërhiqet nga nisma e saj, por ka lënë të hapur mundësinë që PS t’i bashkohet asaj duke bërë propozimet për ndryshimet në rregullore.

“Nuk do t’ju presim më asnjë minutë kur bëhet fjalë për interesat e vendit, por nëse jeni me të vërtetë të përkushtuar, bëni propozimet për amendimet kushtetuese dhe i miratojmë të enjten e ardhshme së bashku”, ka shtuar Patozi.

Top Channel