Pastrimi i parave, ndryshon ligji

24/02/2011 15:40

Qeveria ka ndryshuar ligjin për pastrimin e parave, duke i dhënë të drejtë autoriteteve që të hetojnë edhe politikanët e huaj.

Drafti, që është miratuar nga komisionet parlamentare, i jep të drejtë Drejtorisë së parandalimit dhe pastrimit të parave që, në rast se dyshon mund të hetojë edhe llogaritë bankare të shtetasve të huaj, të cilët kanë mbajtur ose mbajnë poste politike në vendet e tyre.

Qofshin këta kryetarë shtetesh, kryeministra, apo zyrtarë të tjerë të lartë të qeverive. Qeveria thotë se ndryshimet në ligj janë kërkuar nga Këshilli i Evropës, përkatësisht nga Komiteti i pastrimit të parave pranë këtij institucioni.

Ligji i detyron bankat që të njoftojnë autoritetet në rast se vënë re transaksione të dyshimta, vecanërisht kur ato janë jashtëzakonisht të larta dhe nuk kanë logjikë ekonomike dhe ligjore.

Menjëherë kur konstatojnë transferta të dyshimta në masën mbi 100 mijë lekë, bankat janë të detyruara që të njoftojnë autoritetet dhe të bllokojnë deri në 48 orë transfertën deri sa të merret autorizimi nga Drejtoria e pastrimit të parave.

Top Channel