Kuvend, Berisha akuza PS

24/02/2011 18:25

Kryeministri Sali Berisha, duke folur në seancën parlamentare ka vlerësuar nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit.

Berisha është shprehur se kjo nismë është pjesë e luftës së qeverisë së tij kundër korrupsionit, e cila ka qenë shumë e vështirë.

“Lufta kundër korrupsionit ka qenë për qeverinë shqiptare drejtimi më themelor dhe përparësi e të gjitha përparësive”, ka deklaruar Berisha, i cili ka paraqitur vështirësitë dhe problemet e krijuara nga qeveria e mëparshme.

“Erdhëm në pushtet në një kohë kur cdo vit fitimet nga taksat dhe tatimet e qytetarëve më të varfër të Evropës përfundonin në kontot bankare të qeveritarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve. Erdhëm në pushtet në një kohë kur prokurimet publike, mbi 70 për qind bëheshin pa tender dhe direkt, kur pranimet në universitete ishin kthyer në panairin e turpit dhe korrupsionit, kur një post drejtori në Policinë e Shtetit paguhej 100 mijë euro dhe kur Shqipëria renditej në një nga 24 vendet më të korruptuara të planetit”, ka nënvizuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka përmendur edhe disa nisma të tjera të ndërmarra nga kabineti i tij për luftën kundër korrupsionit, të cilat më pas janë bërë pjesë e ligjeve për institucionet e vendit.

“Ndër vendimet e para të qeverisë ishte shkurtimi me 33 për qind i administratës shtetërore, që sot është dy herë më e vogël se të gjitha vendet përreth. Erdhëm në pushtet duke vendosur si kriter fillimin e betejës kundër korrupsionit nga zyrat tona, pasi për udhëtime shpenzoheshin shifra marramendëse. Me këtë masë ne reduktuam shpenzimet në 1.8 për qind të GDP-së. Amenduam ligjin e konfliktit të interesit, kur administrata e tërë ishte ndërtuar në konflikt interesi, amenduam ligjin për KLD-në, vendosëm standarte të reja në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, morëm me seriozitetin më të madh rekomandimet e KiE. Një ligj i ri për prokurimet u miratua, i cili ndalonte prokurimet direkte, një ligj për koncesionet u miratua që ndalonte koncesionet direkte, u ndërtua regjistri elektronik, u vendos taksa e sheshtë, u vendosën cmimet e referencës në dogana”, ka saktësuar Berisha, i cili ka publikuar edhe rezultatet e luftës së qeverisë së tij.

“Rezultatet e kësaj lufte janë: në vitin 2004 janë mbledhur 98 miliardë lekë, në 2009 188 miliardë lekë, pa llogaritur faktin se tatim-fitimi u ul nga 25 në 10 për qind, taksa ditore u ul nga 23 në 10 për qind. Pra, kjo qeveri dyfishoi të ardhurat si asnjë qeveri tjetër në kontinent. Nga ana tjetër, Shqipëria doli i vetmi vend që rriti eksportet, që pati rritje ekonomike në kohë krize dhe që rriti investimet e huaja. Miratimi i sotëm është një tjetër hap në fitoren vendimtare të kësaj lufte”, ka deklaruar Berisha.

Më tej, ai ka hedhur një seri akuzash ndaj deputetëve të PS, të cilët sipas tij nën udhëheqjen e Edi Ramës kanë monopolizuar hapësirat e ndërtimit. Kjo, sipas kryeministrit, është një nga arsyet përse Partia Socialiste nuk do të votojë nismën e saj për kufizimin e imunitetit.

“Kupola juaj ka 1 milion metër katrorë ndërtime. SHPK-ja socialiste nuk mund të dalë kundër vetëvetes. Vetëm Fidel Ylli ka 87 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, sepse Besnik Sula, që bleu truallin në mes të Tiranës me 100 euro ka 82 mijë metër katrorë ndërtimi, sepse Dashi bashkë me Ilir Matën kanë 42 mijë metër katrorë ndërtimi, sepse Sadri Abazi ka 73 mijë, Arian Leska 61 mijë, Dundullaku 145 mijë, etj. Pastaj, është kryetari që blen shaganin 230 mijë euro dhe bastunin 12 mijë euro dhe thotë që jeton me 3 mijë euro. Këto s’janë gjë sepse është 20 për qindëshi që shkon në 100 milionë euro. Ju s’votoni dot sot pasi dy kompani morën 70 për qind të lejeve të ndërtimit”, ka shtuar Berisha.

Kryeministri ka akuzuar deputetë të PS edhe për organizim të pucit të 21 janarit, ku ka publikuar disa dokumente që sipas tij i zotëron prokuroria dhe vërtetojnë sms-të me të cilat deputetët e PS kanë nxitur protestuesit.

“Hetimi do të bëhet. Shoqja e bulevardit do që ta pengojë, ju doni ta pengoni, por s’keni për ta penguar. Ju pengoni hetimin e organizatorëve, sepse pas viktimave fshihen organizatorët që fshiheshin në lokalin e Fidelit dhe jepnin urdhëra për hapjen e dyerve të kryeministrisë. Qëndrojnë ata që nga kulla ku ishin mbyllur shpërndanin shishet molotov. Prandaj ju keni tmerr nga hetimi i organizatorëve. Por do të hetohet, do ketë një hetim të plotë”, është shprehur Berisha.

Kreu i ekzekutivit e ka mbyllur fjalën e tij me një ftesë drejtuar Partisë Socialiste për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, duke dhënë garancinë e tij për mbarëvajtjen dhe transparencën e tyre.

“Ju bëj thirrje, do t’ju ftoj në garën elektorale lokale, të dilni nga spirali ku futët veten. Do bëhet gjithcka për një garë të ndershme e të lirë, do ketë një transparencë të fortë dhe unë falenderoj të gjita vendet mike, në vecanti SHBA, për shumën që kanë vendosur për transparencën e këtyre zgjedhjeve. Unë ju ftoj të votoni, ju bëni si të doni”, ka pohuar Berisha.

Top Channel