Kundër regjistrimit etnik

22/02/2011 15:20

81 shoqata, me nismën e shoqatës “Labëria” kanë reaguar ashpër gjatë një tubimi duke u shprehur kundër regjistrimit të popullsisë, mbi baza etnike.

Ata i kanë bërë thirrje me anë të një peticioni qeverisë shqiptare për ta ndaluar këtë regjistrim si edhe e kanë akuzuar atë se po i bindet çdo kërkesë të qeverisë greke.

Në tubim Sabri Godo u shpreh me tone ironike ndaj përkrahësve të këtij regjistrimi, ndërsa historian Pëllumb Xhufi përdori tone akuzuese.

“Shkenca thotë që u dashkan 6 mijë vjet të ndërrohet kodi gjenetik i njeriut, ndërsa me formularin e qeverisë e ndron kombësinë në 2 minuta e gjysmë”, është shprehur Godo.

“Interesat tona varen nga një pensionist, Nikollaq Gaxojanis që është mik i gjithë pushtetarëve shqiptarë. Që është mik i Saliut, Ilirit dhe Fatosit. Kjo është për të vënë duart në kokë”, deklaroi Xhufi.

Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Spahiu u shpreh se, çertifikata është e pamjaftueshme për të ndryshuar kombësinë dhe ftoi krerët e partive të minoritetit grek në debat publik.

“E ftoj në debat Dulen apo Karamelon që mendojnë se do të munden të keqinterpretojnë ligjet e Shqipërisë”, deklaroi Spahiu.

Kreu i shoqatës “Labëria” vuri në peshore sjelljen e shqiptarëve ndaj grekëve dhe anasjelltas, duke dënuar njëkohësisht edhe për incidentin ndaj trupës se Top Channel gjatë xhirimeve në fshatin çam Margellic.

“Mbrëmë kush e ka ndjekur, Top Channel-in e kanë përzënë nga fshatrat e Çamërisë, kurse grekërit vijnë në mes të ditës dhe na diktojnë se çfarë duhet të bëjmë dhe ne u përulemi atyre dhe diskutojmë se e kujt është Himara, greke apo shqiptare”, është shprehur Ago Nezha, kryetar i shoqatës “Labëria”.

Top Channel