Durrës, bllokohen punimet pranë xhamisë

22/02/2011 18:05

Agjencia Rajonale e Mjedisit ka pezulluar punimet në sheshin “Liria” në qendër të Durrësit për mungesë të pajisjes me leje mjedisore.

Punimet janë pjesë e sheshit para xhamisë së qytetit. Menjëherë ka reaguar kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili e konsideron vendimin një veprim që synon bllokimin e investimeve publike dhe pjesë të luftës politike që ka nisur me çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

“Këto janë vazhdë e veprimeve tendencioze politike, që Inspektoriati Mjedisor ushtron gjatë gjithë kësaj kohë në Bashkinë e Durrësit për të penguar punët e bashkisë. Dua t’i them Inspektoriatit që të pajisë bashkinë me leje, sepse kemi aplikuar dhe të gjithë këto objekte janë me leje ndërtimi. Këto leje nuk mund t’i anulojë dot as Inspektoriati dhe as ndonjë forcë tjetër, përveçse gjykatave”, deklaroi Dako.

Kjo fazë e rivitalizimit të sheshit kryesor të qytetit bregdetar është në përfundim e sipër, pret të dorëzohet nga firma zbatuese në muajin mars.

Reagimi i inspektorëve të mjedisit duket i vonuar pasi leja mjedisore duhet të merret në çastin e marrjes së lejes së ndërtimit në KRRT, pjesë e së cilës është dhe drejtuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit.

Një javë më parë kjo agjenci për të njëjtën proçedurë të anashkaluar nga bashkia në investimin për rehabilitimin e shëtitores bregdetare e gjobiti atë në vlerën e 2 milionë lekëve.

Top Channel