Bujqësia, “e varfëra” e ekonomisë

22/02/2011 17:00

Bujqësia është një nga sektorët me peshën më të lartë në ekonomi. Sipas të dhënave zyrtare, 18 lekë në çdo 100 lekë që prodhon Shqipëria vijnë nga fermat e vendit.

Por përtej peshës së lartë në prodhim, rëndësia më e madhe e bujqësisë vjen nga fakti se aty punon një në çdo dy shqiptar, që qeveria i raporton zyrtarisht si të punësuar në shifrat e saj.

Edhe pse këto të dhëna tregojnë qartë rëndësinë e bujqësisë, ky sektor ka qenë më i diskriminuari nga buxheti.

Vetëm në vitin 2011 bujqësia do të marrë vetëm 3 përqind të totalit të fondeve buxhetore kur ky sektor i jep ekonomisë mbi 2 miliardë dollarë, por merr nga buxheti më pak se 80 milionë dollarë.

Kjo situatë vazhdon prej vitesh. Mbështetja e ulët financiare, pronësia e paqartë dhe një sërë problemesh të tjera e mbajnë peng bujqësinë shqiptare.

Një studim i para disa viteve nga pedagogë të Universitetit të Kamzës, i financuar nga Banka Botërore, tregoi se një fermer në Shqipëri jep si prodhim mesatarish 1700 euro në vit, kur mesatarja e BE-së është 25 mijë euro dhe ajo e vendeve të tjera të ngjashme me Shqipërinë është nga 5 deri në 7 mijë euro.

Së fundmi pavarësisht se gjysma e shqiptarëve punojnë në ferma, Shqipëria importon për konsum rreth 600 milionë euro në vit prodhime bujqësore ose 10 herë më shumë se sa eksporton, çka e bën vendin të pambrojtur nga rritja e çmimeve në tregjet botërore.

Madje në strukturën e tegtisë së jashtme të Shqipërisë gjen dhe paradokse të tilla, si ai i importit të barit të thatë për blegtorinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA