Presidenti jemenas: Dhuna nuk më tremb

21/02/2011 14:15

Presidenti jemenas, Ali Abdullah Saleh, deklaroi se protestuesit që kërkojnë largimin e tij nga pushteti pas 32 vitesh udhëheqje nuk do të arrijnë të përmbushin objektivat e tyre nëpërmjet anarkisë dhe vrasjeve.

Duke iu referuar mediave ndërkombëtare, 12 persona kanë mbetur të vrarë që pas të enjtes, kur demonstratat antiqeveritare shpërthyen në masë në shkallë kombëtare.

Shumica e viktimave janë regjistruar në qytetin jugor të Adenit, ku fryma antiqeveritare është veçanërisht e lartë, pasi vendi drejtohet nga figura politike që i përkasin eksluzivisht veriut.

Megjithatë, korrupsioni i lartë, papunësia masive dhe varfëria ekstreme kanë detyruar masat e njerëzve që të dalin në rrugët e vendit më të varfër të Lindjes së Mesme, në të gjithë qytetet kryesore.

Presidenti Saleh, i cili ka lajmëruar më parë për moskandidimin në vitin 2013, kur të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale, deklaroi: “Unë i pari jam pro reformave, por në të njëjtën kohë më duhet të theksoj se asgjë nuk do të arrihet me mjete si anarkia dhe dhuna.

Kushdo që dëshiron të ngjitet në pushtet në këtë vend, duhet t’a realizojë këtë nëpërmjet kutive të votimit. Kush dëshiron që regjimi të ndërrohet, do të ketë mundësinë të shprehë mendimin e tij kur të vijë dita e votimeve”.

Saleh ishte deri një dekadë më parë një armik i vendosur i Shteteve të Bashkuara, për shkak të ndihmës që i dha Saddam Hussein-it në sulmin ndaj Kuvajtit, por është shndërruar në një alet të çmuar, për shkak të ndihës në luftën kundër al-Qaeda.

Top Channel