PS: Berisha kundër opozitës

20/02/2011 15:00

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla gjatë një komunikimi me median deklaroi se, 20 shkurti nga dita e opozitës për të shembur diktaturën po kthehet nga Sali Berisha në “ditë kundër opozitës”.

Balla deklaroi se, njerëzit u sollën me dhunë në shesh për të festuar diktaturën në fuqi.

“Historia e vjetër dhe e re e diktatorëve është sot modeli dhe historia e fundit e Sali Berishës. Ai po vret për të ndaluar protestat, ai po fyen gjakun e të vrarëve për drejtësi para zyrës së tij, ai po rreh barbarisht për të trembur valën e pakënaqësisë popullore. Ai po organizon anti-mitingje groteske duke e kthyer 20 shkurtin nga një ditë simbol të opozitarizmit në Shqipëri, të luftës kundër diktaturës në Shqipëri, në një ditë të urrejtjes kundër opozitës”, tha Balla.

Deputeti Balla pas publikimit të një fotoje të hershme të kryeministrit të vendit deklaroi se, Berisha po vret njerëz për të mbajtur gjallë pushtetin e tij të kusarisë.

“Kjo fotografi ku Saliu qendron në majë të varkës familjare të diktaturës së Enver Hoxhës është prova më e qartë se Sali Berisha ishte dhe mbetet njeriu i diktaturës, prandaj në ditët në vijim shqiptarët do të protestojnë më shumë se kurrë, kundër Saliut dhe Ilirit e kusarëve të tjerë me bllok në dorë të cilët nuk mund të trembin më askënd me dhunën e fjalëve dhe të armëve pas të cilave janë strukur këta kusarë”, tha më tej deputeti socialist.

Top Channel