20 vjet pas rrëzimit të simbolit të diktatorit komunist, Enver Hoxha, demokratët kanë festuar në Tiranë një nga ngjarjet më drithëruese të historisë së Shqipërisë. (UPDATE)
Një ngjarje, që kryeministri Berisha e përcakton si fitore të ngadhënjimit të lirisë dhe dinjitetit njerëzor për shqiptarët. Duke ngritur në pidestalin e Kombit të gjithë ata që u flijuan në 45 vitet e diktaturës më të egër komuniste në Europë, studentët dhe shqiptarët që u ngritën kundër regjimit, në sheshin Nënë Tereza u mbajt një minutë heshtje në nderim të qytetarëve të lirisë.
20 vjet pas rrëzimit të bustit të diktatorit, Sali Berisha, bën edhe një përcaktim tjetër për atë që e quan arritjen më të madhe të shqiptarëve në këto dy dekada.
“Ne sot jemi vendi i votës së lirë, zgjedhjeve të lira, sistemit i vlerave më të mira njerëzore e hyjnore është vepra e jetës sonë”, tha kryeministri Berisha.
Ky miting festiv, është i pari që Partia Demokratike organizon pas 21 janarit, një datë, që gjithashtu, ishte një pikë tjetër referimi në fjalimin e kryeministrit Berisha. Duke trajtuar njësoj lidershipin e opozitës me udhëheqjen komuniste, kryeministri Berisha tha se 21 janari ishte përpjekje e dështuar për të kthyer shqiptarët tek e shkuara.
“Sot pas 20 vitesh, njëlloj si etërit, pinjollët e tyre flasin për popullin dhe në emër të tij. Etërit e përmbysur dhe bijtë e tyre mjeranë nuk kuptuan asokohe e nuk kuptojnë as sot se populli shqiptar, flet e dhe do të flasë me votën e tij të lirë. Bijtë e etërve hoxhistë, pushtet me dhunë nuk do të merrni kurrë në këtë tokë! Liria është bastioni ynë, mjerë ata që guxojnë ta prekin atë!”, vijoi në fjalën e tij kryeministri Berisha.
Zgjedhjet lokale të 8 majit ishin një pikë tjetër, të cilës kryeministri Berisha i kushtoi vëmendje, duke premtuar zhvillimin e tyre sipas standarteve ndërkombëtare.
“Ne jemi dhe do të mbetemi djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e votës së lirë. Me ne shqiptarët do të votojnë gjithnjë të lirë. 8 Maji është prova jonë e re ndaj lirisë së mbarë shqiptarëve, 8 Maji do të jetë festa e votës së lirë”, shtoi lideri i mazhorancës.
Ajo që kryeministri Berisha kërkon nga shqiptarët në këto kohë të tensionuara politike, është bashkimi rreth mesazhit të 20 shkurtit 1991, rreth Shqipërisë europiane.
“Të bashkohemi ne sot me besimin e palëkundur tek e ardhmja jonë europiane, të ndërtojmë bashkë godinën madhështore të Shqipërisë europiane, si shtëpia më e bukur e jetës sonë, si shtëpia më e bukur e fëmijëve tanë. Marshi ynë i lirisë drejt Europës është i pandalshëm, ora jonë e lirisë nuk mund të ndalet kurrë. Zoti bekoftë shqiptarët, lirine dhe flamurin e tyre!”, mbylli fjalën e tij kryeministri Berisha.
Top Channel