PS: Protesta, mesazh kundër Berishës

19/02/2011 13:10

Partia Socialiste ka deklaruar sot se protesta e mbajtur dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë ishte një mesazh i qartë kundër qeverisë së korruptuar.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Besnik Bare ka saktësuar se në tubimin e djeshëm morën pjesë plot 200 mijë qytetarë nga i gjithë vendi.

“Demonstrata e 18 shkurtit ishte një sinjal i qartë kundër korrupsionit. 200 mijë qytetarë mbushën dje bulevardin për të kundërshtuar pushtetin e Berishës”, ka pohuar Bare.

Më tej kryetari i degës socialiste të Tiranës ka falenderuar qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në protestën masive të opozitës së bashkuar.

“Falenderoj qytetarët e lirë të vendit që ishin dje me ne në Tiranë për të protestuar. Falenderoj ata të papunë që sakrifikuan për të ardhur drejt Tiranës, të vetëdijshëm më shumë se kurrë se nevojitet një ndryshim i madh”, ka shtuar Bare.

Top Channel