Piratët somalezë marrin peng 4 amerikanë

19/02/2011 08:40

Katër shtetas amerikanë, të cilët ishin duke lundruar me një jaht privat në brigjet e Omanit, u morrën peng gjatë mbrëmjes së djeshme prej piratëve somalezë.

Mjeti i quajtur S/V Quest, i drejtuar prej një çifti të dalë në pension, u rrëmbye rreth 240 milje detare nga brigjet e Omanit.

Amerikanët ishin duke u kthyer nga India dhe besohet se kishin vendosur që të ankoroheshin në Oman.

Ndonëse shënjestra e preferuar e piratëve janë anijet tregtare, edhe disa jahte janë rrëmbyer në vitet e fundit.

Një çift britanik mbahet peng që prej më shumë se një viti, ndërsa një tjetër afrikanojugor prej katër muiajsh, pasi jahtet e tyre u rrëmbyen.

Ndërkohë, një çift francez u ekzekutua pas rrëmbimit, pasi Parisi zyrtar dërgoi forca speciale, për të tentuar lirimin e tyre.

Sipas një studimi amerikan të botuar së fundmi, aktiviteti i piraterisë i kushton ekonomisë botërore midis 7 dhe 12 miliardë dollarëve në vit.

Top Channel