Rama: Në rrugë derisa të ikë Berisha

18/02/2011 17:50

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka kërkuar largimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ai ka theksuar se opozita është shpresa e vetme që të ndalet korrupsioni dhe grabitja e pasurive të vendit.

Rama deklaroi se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e regjimit të kusarisë që mban peng integrimin e vendit.

“Korrupsioni po i merr frymën demokracisë dhe i ka marrë shpirtin dhe gramat e fundit ekonomisë. Njerëzit nuk duhet të gjejnë vdekjen, por duhet të gjejnë zgjidhjen… Kishte vetëm një arsye për të vrarë demonstruesit dhe kjo arsye është aty, në atë godinë, në tryezën e asaj që quhet qeveria e Shqipërisë, por që në fakt është regjimi i kusarisë. Janë ato përfitime të paligjshme dhe dalja në dritë vetëm e disa zullumeve të tyre, që kanë nxitur frikën që u bën të shohin ëndrra me puçe”, deklaroi Rama.

“Populli që ka ardhur këtu sot, kërkon mbrapsht Shqipërinë me të gjitha pronat e grabitura, konçensionet e paligjshme, privatizimet e korruptuara. U kërkon mbrapsht kusarëve Shqipërinë, që nuk mund të qëndrojë edhe në flamurin e NATO-s dhe në flamurin e gardës së korrupsionit. Kërkojmë mbrapsht Shqipërinë, që nga zgjedhjet e vjedhura, deri në jetët e mara për të vazhduar vjedhjen… Shfrytëzimi barbar i pasurive të këtij populli, duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund kompromentimi i të ardhmes së atyre që lindin në këtë vend të Evropës”, tha Rama.

“Sot jemi e vetmja shpresë për të ndalur pushtetin e kusarisë, korrupsionin, grabitjen e qeverisë, padrejtësinë si pushtet antivlerash në fuqi dhe për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të drejtë. Nuk kërkojmë pushtetin, por largimin e tij, nuk duam pushtet përmes demonstratave, por do të vazhdojmë demonstratat për të larguar pushtetin. Populli duhet të zgjedhë atë që do dhe jo të sundohet nga ai që populli nuk do. Duhet të largohesh Sali mos rri aty nga frika dhe mos e shi këtë si çështje burrërie. Burrëri kur një kryeminstër shpëton nga armët e luftës, është kur ai largohet dhe pranon zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi Rama.

“Demonstratat nuk do të ndalen, do të vazhdojnë, do të jenë përditë dhe përjavë edhe më të mëdha, përditë edhe më të shtrira në të gjithë Shqipërinë në emër të atyre parimeve që 20 vjet më parë e hodhën këtë popull kundër regjimit të Enver Hoxhës dhe sot e kanë nxjerrë kundër regjimit tënd të kusarisë. Kush falë liri themelore për siguri të përkohshme, nuk mund të ketë as liri dhe as demokraci dhe ja pse sot edhe në vazhdim ky popull do të jetë në demonstrata”, përfundoi Rama.

Top Channel