Protesta, nisen autobusët nga rrethet

18/02/2011 10:55

Me qindra automjete të transportit urban janë nisur nga qytete të ndryshme drejt Tiranës për mitingun e lajmëruar nga opozita ditën e sotme.

Partia Socialiste në mënyrë të organizuar ka mbledhur militantët e saj për këtë manifestim-protestë, që do të kulmojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.

Mëngjesin e sotëm janë nisur mjetet nga Korca, Berati, Vlora, Fieri, Shkodra, Kukësi, Lezha dhe shumë qytete të tjera.

Ndërkohë, lajmërohet nga Partia Socialiste se protesta nis në orën 15.30 me grumbullimin e njerëzve në katër pika të ndryshme, të cilat janë Zogu i Zi, stacioni trenit, Fakulteti Filologjik dhe pranë 21 dhjetorit.

Sipas skemës së njoftuar nga organizatorët, njerëzit do të lëvizin përgjatë rrugës Mine Peza, bulevardi Zogu i Parë, rruga e Elbasanit dhe rruga e Kavajës, për t’u bashkuar në sheshin Skëndërbej dhe për të vazhduar më pas në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Pika e përfundimit të marshimit do të jetë para kryeministrisë, ku do të mbahen dhe fjalimet përkatëse. Fjalimi përmbyllës do të jetë i kryetarit të PS, Edi Rama, në emër të opozitës së Bashkuar.

Ndërkohë, policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste, e cila duket se do të ketë edhe masa shtesë nga militantët e Partisë Socialiste.

Top Channel