PPE: Mbështesim qeverinë

18/02/2011 15:55

Ngjarjet e 21 janarit dhe ato më pas, kanë qenë temë kryesore e bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të grupit të qendrës së djathtë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luca Volonte.

Duke vlerësuar si korrekt qendrimin e partnerëve ndërkombëtarë, kryeministri Berisha tha se është shumë i rëndësishëm hetimi i plotë, profesional dhe i balancuar për të gjithë përgjegjësit e 21 janarit dhe se vetëm një hetim i tillë mund të zgjidhë dhe normalizojë situatën në vend.

Në këto qendrime, ku ka siguruar se qeveria do të respektojë lirinë për tubime paqësore, por është e vendosur të ruajë rendin kushtetues nga çdo tentativë për dhunë, kryeministri Berisha ka gjetur mbështetjen e aleatit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar të Këshillit të Ministrave, zoti Volonte e cilësoi konstruktiv qendrimin e kryeministrit Berisha në përballimin e situatës së krijuar nga përpjekjet e opozitës për marrjen me dhunë të pushtetit.

Sipas kryetarit të grupit të qendrës së djathtë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europes, një vit pas negociatave në Tiranë të Komitetit Presidencial të këtij organizimi europian, Edi Rama ka përshkallëzuar qendrimet e tij, duke iu larguar konsensusit dhe duke mbyllur qëllimisht rrugët për zgjidhje insitucionale të ngërçit të krijuar nga vetë ai.

Këtë opinion Luca Volonte e ndau edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vuri në dukje kërkesën e panegociueshme të mazhorancës që organizatorët e dhunës se 21 janarit të dalin para drejtësisë, një kërkesë që zonja Topalli tha se mazhoranca po e artikulon prej gati një muaji.

Top Channel