Investitorët e huaj: Duam siguri

18/02/2011 16:10

Investitorët e huaj lëshojnë alarmin se në Shqipëri po krijohet një klimë mbytëse për biznesin, ku krizës ekonomike po i shtohet edhe pasiguria që mbjell kriza politike.

“Biznesi i huaj dhe ai vendas po përballet tani me krizën e përbotshme ekonomike, që preku dhe Shqipërinë. Ndaj në këtë moment është i domosdoshëm një injeksion sigurie, duhet të përcillen mesazhe konfidence. Shikoni ngjarjet e ditëve të fundit, të cilat kanë ndikim të madh tek investimet e huaja në proçes. Nuk them se i kanë ndërprerë ato përfundimisht, por tashmë tek investitorët e huaj janë krijuar dyshime serioze. Shqipëria ka nevojë tani për paqe sociale për të rikthyer besimin tek investitorët e huaj”, tha Giovanni Degennaro, kryetar i Dhomës Italiane të Tregtisë në Tiranë.

Situata e paqendrueshme politike mbetet kërkesa kryesore e biznesit të huaj. Por jo e vetmja, pasi ka edhe të tjera mangësi që lidhen edhe me politikat buxhetore të qeverisë.

“Ka disa sektorë që duhen inçentivuar, si turizmi apo bujqësia. Por problem mbetet infrastruktura, jo vetëm energjetike, por edhe ajo rrugore. Kemi parë që janë bërë investime në infrastrukurën portuale, atë ajrore, dhe transportin rruugor, por ka një element tjetër shumë të rëndësishëm që është në gjendje kritike. Janë hekurudhat. Ju e dini që ndërmarrjet e huaja që vijnë këtu kanë qëllim bazë eksportin dhe hekurudhat janë domosdoshmëri për të inçentivuar investimete huaja”, theksoi Degennaro.

Pasiguria tek të huajt rritet edhe nga fakti se Shqipëria nuk ofron garanci për trajtim të barabartë në konfliktet shtet-biznes, një ngërç ky i lidhur me Gjykatën Administrative.

“Ashtu siç shteti kërkon respektimin e normave fiskale, pagesën e taksave e të tjera, është e detyrueshme që të ketë një statut të mirëpërcaktuar edhe për të drejtat e kontribuesve. Në mënyrë të tillë që kur ka konflikte mes shtetit dhe sipërmarrjes këto të fundit të kenë mundësi të mbrohen në mënyrën më të mirë”, deklaroi Degennaro.

Top Channel