Greqi, kapet anija me cigare kontrabandë

18/02/2011 14:35

Roja bregdetare greke sekuestroi një ngarkesë me cigare kuntrabandë, destinacioni i së cilës ishte porti i Durrësit në Shqipëri.

Sipas autoriteteve, ngarkesa prej 1900 koli cigare kontrabandë të markave të ndryshme, ishte fshehur në hambaret e anijes “Razvenki’’, me flamur ukrainas.

Nga hetimet e kryera nga autoritetet greke rezultoi se ngarkesa ishte futur në hambaret e anijes në një port turko-qipriot dhe kishte destinacion një firmë shqiptare, adresa e së cilës rezultoi se ishte e rremë.

Sipas rojës bregdetare greke, autoritetet kishin informacion prej shërbimeve sekrete për kalimin tranzit të ngarkesës në ujërat greke.

Operacioni u zhvillua 6 milje në det të hapur, jashtë portit të Pireut. Kapiteni i anijes dhe 8 marinarët, të gjithë ukrainas, u arrestuan.

Ata u deklaruan hetuesve se do të dorëzonin ngarkesën në portin e Durrësit gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës së ardhshme. Kapiteni deklaroi se e kishin kryer këtë itinerar të pakten edhe tre herë të tjera.

Top Channel