Vlorë, dhunohet 46 vjeçarja

17/02/2011 11:35

Një grua është rrahur dhe dëmtuar rëndë nga disa persona të maskuar të cilët donin të grabisnin një pikë të këmbimit valuator dhe të transfertave monetare në qytetin e Vlorës. (UPDATE)

Grabitësit e maskuar kanë trokitur në derën e një shtëpie në lagjen “Isa Boletini” të qytetit të Vlorës.

Ata ishin në djeni se shtëpia kishte lidhje me pikën e këmbimit valuator ku ndodhej kasaforta me paratë që ata tentuan të grabisnin.

Derën e ka hapur 46 vjeçarja Xhevrie Meçaj e cila po përgatitej për të hapur edhe pikën e këmbimit valutor.

Pasi ka parë personat e maskuar ajo ka tentuar të mbyllë derën, por është goditur dhe dhunuar fizikisht duke pësuar fraktura në fytyre dhe në trup.

Banorët e pallatit lajmëruan policinë për një vrasje, por mjekët konstatuan se 46 vjeçarja ishte gjallë.

E dëmtuara është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit të Vlorës, ndërsa policia ka nisur ekspertimin e gjurmëve që lanë dy dhunuesit në banesë.

Pas sulmit mbi gruan dhe britmave të saj grabitësit janë larguar me shpejtësi duke mos prekur kasafortën.

Policia dyshon se personat që tentuan grabitjen janë njohës të mirë të zonës dhe të faktit që shtepia kishte lidhje direkte me pikën e këmbimit valutor.

Menjëherë pas ngjarjes janë marrë dëshmitë e banorëve dhe ka nisur kërkimi.

Top Channel