Topi dekoron komandot

17/02/2011 16:25

Në prani të dy ish-presidentëve Moisiu dhe Meidani, shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, deputetëve, ambasadorëve të vendeve të NATO-s në Shqipëri, presidenti Bamir Topi priti ushtarakët e misionit “Eagle 1”, që shërbyen përkrah forcave speciale amerikane në Kandahar të Afganistanit.

Me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, presidenti dekoroi nënkolonelin Dritan Demiraj me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Kurse me medaljen “për shërbime ushtarake” dekoroi kapitenin Ernest Mariakaj, rreshterët Albert Kucaj dhe Astrit Lica dhe tetarin Gëzim Toska.

Në fjalën e tij, presidentin vuri në dukje suksesin që karakterizoi këtë mision të vështirë. “Ju po vini nga një terren i vështirë luftimi, ku jeni përballur me sukses me forcat e së keqes, por jeni kthyer duke valëvitur me krenari flamurin e shpresës dhe të paqes. Keni luftuar me trimëri kundër talibanëve në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, pa u ligështuar dhe pa ju trembur syri për asnjë cast. I keni treguar e provuar mbarë botës, miqve dhe aleatëve tanë strategjike se c’janë të zotë të bëjnë shqiptarët për të tjerët, por edhe për veten”, deklaroi Topi.

Duke qenë se dita përkonte edhe me përvjetorin e pavarësië së Kosovës, presidenti pati edhe një mendim të posacëm për orienimtin euroatlantik të institucioneve të shtetit më të ri në Ballkan.

“Ne jemi mëse të bindur që orientimi euro-atlantik do të jetë rrugëtimi edhe i të gjitha vendeve të rajonit ballkanik, përfshirë këtu edhe aspiratën e thellë të popullsisë së shtetit të ri të Kosovës, që pikërisht sot është në festë. Me këtë rast, dëshiroj të përshëndes në mënyrë të vecantë përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës! 17 shkurti i vitit 2008 përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e Kosovës si shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe i orientuar në mënyrë të palëkundur drejt rrugëtimit të tij të qartë euro-atlantik. Kjo datë do të mbetet e gdhendur jo vetëm në historinë e Kosovës, por dhe të mbarë kombit shqiptar si një pikë kulmore reference, që do t’u tregohet me krenari e do t’u mësohet brezave të ardhshëm të shqiptarëve”, u shpreh Topi.

Në këtë ceremoni, e zhvilluar në orën 11:00 paradite, ra në sy mungesa e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Nga Ministria e Mbrojtjes mësohet se pengesë është bërë mbledhja e qeverisë, e lajmëruar fillimisht për orën 11 dhe që filloi realisht në orën 11.45.

Top Channel