PD: Vizita e Ramës, dështim

17/02/2011 18:40

Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryetarit të PS, se kishte marrë mbështetje nga eurodeputetët, duke deklaruar se vizita e tij në Strasburg ishte një dështim.

“Dje, i sapokthyer nga misioni i tij i turpshëm për bllokimin e vizave për shqiptarët, Rama etiketoi me gjuhë ordinere mazhorancën legjitime. Strasburgu dënoi dhunën e PS për marrjen e pushtetit, e organizuar nga Edvin Kristaq Rama dhe njerëzit e tij”, ka deklaruar deputeti Gent Strazimiri.

Duke hedhur akuza ndaj Ramës për korrupsion, deputeti demokrat e ka paralajmëruar atë se nuk do t’u shpëtojë përgjegjësive për ngjarjet e 21 janarit.

“Kryetari i bashkisë së tretë më të korruptuar në botë do ta cilësonte si të ndyrë qeverinë legjitime. Ky epitet të përshtatet më mirë ty, që je gati të vësh zjarrin për pushtet. Por kjo tregon frikën tënde për krimin që ke kryer më 21 janar”, i është drejtuar Strazimiri-Ramës.

Top Channel