Divjakë, rruga shkatërrohet pas ndërtimit

17/02/2011 17:20

Një rrugë e re, ndërtimi së cilës përfundoi dy muaj më parë, është shkatërruar pothuajse plotësisht.

Janë 320 milionë lekë të investuara, të cilat për shkak të punimeve pa cilësi rezultojnë të hedhura dëm nga ana e bashkisë së Divjakës.

Asfalti në këtë rrugë është dëmtuar në shumë pjesë dhe banorët e zonës dhe këshilltarët bashkiakë bëjnë përgjegjës autoritetet vendore.

“Unë shpreh keqardhjen sepse kjo rrugë ka qenë më e mirë para 30 vjetësh, me kalldrëm, sesa sot me një investim marramendës”, deklaron një banor.

Një prej këshilltarëve bashkiakë shpjegon se në ndërtimin e kësaj rruge ka një konflikt interesi.

“Kjo është e pafalshme për një kryetar bashkie në vitin 2011, që shpenzon paratë e popullit. Dhe firma që e ka bërë këtë rrugë është e vëllait të shefit të urbanistikës”, thotë Rrapi Perriu.

Firma që ndërtoi rrugën i është rikthyer sërish punimeve për të mbuluar dëmtimet e mëdha që ka pësuar rruga e re menjëherë pas ndërtimit të saj.

Top Channel