Mirëmbajtja e TEC-it kushton 3 milionë euro

16/02/2011 08:15

KESH-i ka vendosur të japë 3.1 milionë euro për TEC-in e Vlorës, përmes një tenderi që pritet të zhvillohet më 24 shkurt.

Qëllimi i këtij tenderi është gjetja e një shoqërie private të huaj, e cila do të ofrojë shërbimin për mirëmbajtjen e termocentralit me naftë të Vlorës, deri në vitin 2013.

I parashikuar të ndodhte në fillim të vitit të kaluar, tenderi u shty, pasi TEC-i nuk ishte gati, si pasojë e disa defekteve te tubat e ftohjes së ujit dhe kalimit të naftës.

Duke qenë se italianët janë drejt përfundimit të riparimeve dhe vendosjen në gatishmëri të objektit brenda muajit qershor, KESH-i ka kërkuar kontraktimin e një shoqërie të huaj për mirëmbajtjen.

Pavarësisht se projekti konsiderohet i mbyllur, sërish shteti shqiptar do të duhet të paguajë para shtesë për shërbimet ndaj TEC-it, por KESH-i sqaron se fondet ishin planifikuar që në fillim me marrëveshjen e Bankës Botërore, si kusht për akordimin e kredisë.

Top Channel