Arvizu: Dialog Rama-Berisha

16/02/2011 16:10

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, gjatë një takimi që ka zhvilluar me nxënësit e klasës së pestë të institutit Wilson, ka theksuar se në këtë kohë të vështirë për politikën shqiptare, celësi i zgjidhjes është kompromisi.

Kreu i ambasadës amerikane ka përzgjedhur një gjuhë diplomatike për të përcjellë mesazhin se, dialogu dhe kompromisi është rruga më e mirë për vendin.

“Ju keni dëgjuar shumë politikën dhe përplasjet e saj. Disa herë jam ndierë i frustruar kur i kam dëgjuar, por unë besoj dhe dua të besoj se, pavarësisht në cilën anë jemi, ata me mënyrën e tyre duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, sipas formës së tyre dhe për njerëzit e tyre. Ju flisni për sistemin gjyqësor dhe për probleme të tjera, por ka njerëz të mirë dhe njerëzit duhet të punojnë shumë, të luftojnë. Ju flisni edhe për diversitetin dhe duhet të ketë diversitet në proces, duhet të ketë disa njerëz, që duhet të thonë se, ‘nuk dorëzohem, do të luftoj për cdo të drejtë’”, ka deklaruar Arvizu.

“Por nuk është e mire për cdo njeri ta bëjë këtë, se ndonjë herë duhet të bësh kompromis dhe disa herë duhet të thuash që nuk është sistemi i duhur, por duhen disa njerëz për të marrë një qëndrim kyc dhe disa të tjerë të bëjnë kompromis, të shohin pyetjet dhe të gjejnë përgjigjet. Është një periudhë e vështirë, por e ardhmja është e shndritshme, jam i sigurt”, ka vijuar diplomati amerikan.

Në këtë takim ku u diskutua mbi barazinë dhe diversitetin, ambasadori, i pyetur nga nxënësit solli shembuj sesi mund të zgjidhen cështje të rëndësishme në kohë të vështira.

Takimi u krye në Bibliotekën Kombëtare, ku dhe kreut të ambasadës iu dha medalja e nderit me rastin e 90-vjetorit të bibliotekës.

Top Channel