Ndotja, gjobitet Bashkia e Durrësit

15/02/2011 16:20

Dy milionë lekë të reja është gjoba që Agjencia Rajonale e Mjedisit i ka vendosur Bashkisë së Durrësit për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia” dhe hedhjen e dherave në det.

Inspektorët e mjedisit kanë gjobitur edhe firmën që po kryen punimet e rikonstruksionit, si dhe një tjetër firme private që po ndërton një pallat vetëm pak metra larg vijës bregdetare.

“Me institucionin që kemi një vit që dërgojmë shkresa dhe kërkojmë aplikimin e Bashkisë së Durrësit për pajisjen me leje mjedisore, me qëllim që të gjitha ndërhyrjet që bëhen në këtë pozicion qoftë në det, qoftë në hedhjen e mbeturinave në det, të mos ndodhin. Mbas faktit që Bashkia e Durrësit nuk është përgjigjur, ne kemi marrë masën e gjobës me 2 milionë lekë të reja”, është shprehur Ramazan Kalia, kryetar i ARM Durrës.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit e sheh këtë masë administrative si një akt tendencioz në kohën kur firma është në përfundim të punimeve publike dhe dorëzimit të objektit.

“Është një vazhdim i përpjekjeve të institucioneve të tjera për të penguar investimet e bashkisë, mbeti tani në fund edhe inspektoriati mjedisor. Unë dua t’i kujtoj këtij inspektoriati që 10 metra më tutje ka një ndërtim privat brenda në det dhe të gjobisë ata përpara se të gjobisë Bashkinë e Durrësit, sepse paratë që do të paguhen janë të qytetarëve të Durrësit”, theksoi Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë së Durrësit.

Punimet për rehabilitimin e shëtitores bregdetare kanë nisur në prill të vitit të kaluar me një fond prej 50 milionë lekësh të reja.

Investimi që pritej të mbaronte në muajin nëntor është ende i pambyllur dhe megjithë korrespondencën e mjedisorëve Bashkia e Durrësit nuk është pajisur me leje mjedisi dhe as nuk ka kryer konsultime me publikun për këtë investim që kap një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë.

Top Channel