Spahiu: Kombësia, cështje juridike

14/02/2011 21:50

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se cështja e kombësisë, që kulmoi nga deklarata e lobistit greko-amerikan Nicholas Gage dhe ajo e konsullit grek në Korcë, është një cështje tërësisht e karakterit juridik dhe jo politik.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Spahiu është shprehur se shqetësimi i KLD ka lindur pas konstatimit të një sërë shkeljesh ligjore lidhur me këtë cështje.

“Ne jemi përfshirë në këtë kontekst sepse është rritur kërkesa për ndryshimin e shtetësisë. Ka një shqetësim të gjyqtarëve që e komentojnë ligjin e 2003-shit si një dritare ligjore me probleme të forta kushtetuese. Konsiderohet nga vetë gjyqtarët që komponentë të këtij ligji që bien ndesh me të drejtat e njeriut dhe efektet e kësaj përplasjeje mund të shkaktojnë dëme tek regjistrimi i popullsisë”, ka deklaruar Spahiu.

Sipas tij, bazuar në standartet që zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian, deklarimi i kombësisë nuk mund të bëhet pa prova.

Numri dy i KLD-së ka bërë të ditur se ky institucion po mbledh informacione dhe të mërkurën do t’i relatojë komisionit për të ngritur një grup të posacëm.

Më tej ai ka përmendur edhe një rast që tregon shkeljet e bëra nga gjykata në rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht ato jugore.

“Kryetari i gjykatës së Sarandës merr në shqyrtim kërkesën e vëlla e motër për të ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke. Gjykata e refuzon, ata e cojnë në Apelin e Gjirokastrës, e cila vëllain e lë shqiptar dhe motrës i jep shtetësi greke. Si mund të deformohet një familje përmes provave që nuk ekzistojnë? Në gjyqësor nuk janë unifikuar praktikat”, është shprehur Spahiu.

Top Channel