Rikthehet tolloni i ushqimeve

14/02/2011 16:30

Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi një draft i cili ndryshon rrënjësisht skemën e  ndihmës ekonomike, duke parashikuar për herë të parë jo vetëm para por edhe kompesimin me mallra.

“Për një familje që pavarësisht merr ndihmë ekonomike, mendojmë të fusim edhe përfitimin me veshëmbathje apo ushqime”, ka deklaruar Denada Seferi, srejtore e Politikave Sociale në MPCS.

Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu propozoi madje që tollonat të kthehen në instrumentin kryesor të ndihmës për të varfërit.

“Ky është një standart që aplikohet edhe në vende të zhvilluara si ato të BE dhe në SHBA. Për kategorinë e të varfërve një përfitimi i tillë do të ishte domethënës”, është shprehur ai.

Në draftin e ri parashikohet gjithashtu që përcaktimi i familjeve në nevojë të mos bëhet më nga këshillat vendorë, por vetëm nga qeveria. Fillimisht kjo skemë do testohet në disa zona pilot. “Gjatë këtij procesi vendimmarrjen do ta ketë zyra rajonale”, ka deklaruar Seferi.

Ligji i ri i ndihmës ekonomike fut për herë të parë edhe disa kushte për familjet në nevojë, duke i nxitur ato të shkollojnë fëmijët.

“Në këtë projektligj përfshihet edhe një ndihmë shtesë për të rinjtë në nevojë që nuk ndjekin dot shkollën”, ka bërë të ditur Ledina Aliholli, deputete e PD.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisië së Punës, familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike kanë 190 mijë fëmijë në moshë shkolle, por më pak se gjysma e tyre ndjek arsimin.

Top Channel