PD, draft për kufizimin e imunitetit

14/02/2011 15:50

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike propozoi ndryshimin e rregullores së Kuvendit, duke i bërë asaj një shtojcë për kufizimin vullnetar të imunitetit për akuzat e korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv.

Sipas modelit gjerman, deputetët firmosin në mënyrë vullnetare një deklaratë, ku autorizojnë prokurorinë të nisë ndaj tyre ndjekjen penale pa ndjekur procedurat që parashikohen në rregulloren e Kuvendit.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili lexoi projektvendimin për të ndryshuar rregulloren, tha se kjo ishte mënyra e vetme për të kufizuar imunitetet për akuzën e korrupsionit, pas refuzimit 8-vjecar të ardhur nga Partia Socialiste.

“Për legjislaturën aktuale deputetët depozitojnë tek kryetari i Kuvendit pëlqimin me shkrim për kufizimin e imunitetit sipas nenit 1, brenda 10 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Lista e deputetëve bëhet publike dhe i dërgohet së bashku me një kopje të vendimit prokurorit të përgjithshëm. Cdo ndryshim i mëvonshëm i kësaj liste, nepërmjet dhënies së pëlqimit me shkrim për deputetë që nuk e kanë bërë atë ose tërheqjes së deklaratës, depozitohet tek kryetari i Kuvendit, bëhet publike dhe i njoftohet menjeherë prokurorit të përgjithshëm”, deklaroi Patozi.

Projektvendimi lë të hapur mundësinë që gjatë gjithë legjislaturës, deputetët të firmosin ose të tërheqin pëlqimin e tyre për kufizimin e imunitetit për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv.

Ndërsa për ata që nuk pranojnë ta firmosin deklaratën vullnetare, do të vazhdojë të veprohet sipas procedurave në fuqi.

Kryeministri Berisha e cilësoi këtë propozim një vendim të rëndësishëm të mazhorancës, pavarësisht kritikave të tij ndaj prokurorisë.

“E bëjmë këtë kur kemi një prokurori që fle mbi qindra dosje të qeverisë së mëparshme socialiste dhe hap dosje për qeverinë tonë. Unë e falenderoj për këtë. Ne me këtë vendim heqim cdo lloj mungese burokratike dhe bëhemi baraz me zgjedhësit tanë para ligjit. Kam kënaqësinë ta firmos i pari këtë deklaratë”, tha Berisha.

Përpara se ta firmoste në mënyrë simbolike deklaratën e kufizimit të imunitetit, që merr fuqi vetëm pas botimit në fletoren zyrtare, kryeministri Berisha, akuzoi prokurorinë edhe për nxjerrjen në media të sekretit hetimor.

“Ne konstatojmë një përpjekje të vazhdueshme për degradimin e këtij procesi për qëllime politike. Sërish vazhdon për të realizuar qëllime politike kur mbrojtësit penalizohen pa asnjë fakt, ndërsa organizatorët dhe mercenarët darkojnë me prokurorët e hetimit”, theksoi Berisha.

Në një fjalim të gjatë, ku zbërtheu paragraf pas paragrafi rezolutën e Partive Popullore Europiane, organizmi politik më i madh i partive të qendrës së djathtë europiane, që dënon dhunën e ushtruar më 21 janar, mbështet hetimin para, gjatë dhe pas 21 janarit, si dhe kërkon pjesëmarrjen e të gjitha partive në zgjedhje, kryeministri Berisha tha se u ka këruar të gjithë partnerëve, europianë dhe amerikanë, monitorimin e detajuar të procesit zgjedhor të 8 majit.

“Ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër vecse transparencës. Janë të mirëpritur të monitorojnë në cdo qelizë këtë proces. Ne qëndrojmë me cdo kusht e cdo cmim në respekt të Kushtetutës së këtij vendi”, u shpreh Berisha.

Top Channel