Opozita: Më 18, protestë kundër kusarisë

14/02/2011 16:10

Në emër të opozitës së bashkuar, Spartak Ngjela i bëri apel shqiptarëve të rizbresin në demonstratë në 18 shkurt për t’i dhënë fund, sic tha ai, qeverisë terroriste të drejtuar nga kryeministri Berisha.

“Më 18 shkurt është një demonstratë e madhe në përkrahje të dëshmorëve të lirisë, për të kërkuar largimin e kësaj qeverie për manipulimin e zgjedhjeve dhe korrupsionin. Forca e madhe e popullit do ta mposhtë. Kemi besim se prokuroria do ta zbardhë këtë masakër që është bërë në kohën moderne të Shqipërisë”, deklaroi Ngjela.

Thirrja është përforcuar edhe nga Partia Socialiste. Deputeti Arben Ahmetaj tha se tashmë Shqipëria është ndarë në dy pjesë, nga njëri krah qeveria që po grabit gjithcka e në krahun tjetër populli, i cili sipas tij po varfërohet cdo ditë.

“Më 18 shkurt shqiptarët të protestojnë paqësisht dhe me vendosmëri kundër kusarëve dhe matrapazëve. Ndërkohë që cmimet rriten në mënyrë marramendëse, Berisha vazhdon axhendën e kusarisë. Prandaj më 18 shkurt shqiptarët do protestojnë paqësisht dhe vendosmërisht kundër këtij pushteti, që është i gatshëm të marrë jetë njerëzish të pafajshëm”, ka deklaruar Ahmetaj.

Në daljet e fundit të saj opozita ka ritheksuar se nuk tërhiqet nga kërkesat e saj radikale për dorëheqje të qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, që shihen si e vetmja zgjidhje që do t’i jepte sipas tyre fund krizës së rëndë politike.

Top Channel