Obama zbulon buxhetin e “kursimeve” 2012

14/02/2011 21:40

Presidenti amerikan, Barack Obama, zbuloi gjatë mbrëmjes planin e buxhetit të vitit 2012, ku siç ishte lajmëruar, do të përfshihen disa shkurtime të rëndësishme.

Plani i administratës Obama synon që nëpërmjet shkurtimesh në shpenzime, të reduktohet brenda një periudhe 10-vjeçare, defiçiti i jashtëzakonshëm buxhetor, prej 1 100 miliardë dollarësh.

Ndërsa shpalli planin e tij të kursimeve, Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetojnë me ato që prodhojnë, pasi vazhdimi i politikës së shpenzimeve të pakontrolluara do të rrezikonte të ardhmen.

Nga ana e tyre, republikanët, të cilët kontrollojnë Kongresin Amerikan, u shprehën të pakënaqur, duke kërkuar masa më të forta për ngushtimin e defiçitit.

Buxheti i propozuar nga Obama, është fillimi i një rruge të gjatë shkurtimesh. Totali i buxhetit të vitit të ardhshëm do të jetë prej 3 730 miliardë dollarësh, që përbën një shkurtim prej 2,4% nga buxheti i vitit aktual.

Projekti i shumëdebatuar Shtëpisë së Bardhë, vendos në pikëpyetje në radhë të parë popullaritetin e vetë presidentit.

Ndonëse Obama u zgjodh me premtimin për reforma thelbësore në sistemin shëndetësor, sigurimet shëndetësore dhe pensionet, shkurtimet do të godasin disa prej projekteve që lidhen drejtëpërsëdrejti me këto fusha.

Top Channel