Meta-Prifti, sot mblidhet Këshilli i Imuniteteve

14/02/2011 12:25

Sot në orën 14 mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Imuniteteve për të diskutuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetëve Ilir Meta dhe Dritan Prifti.

Këshilli pasi të diskutojë kërkesën do të hartojë një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Më pas kërkesa vendoset në rend të ditës së seancës plenare.

Për të dy deputetët është hera e dytë në karrierën e tyre politike që kërkohet heqja e imunitetit.

Në vitin 1992 Kuvendi vendosi t’i heqë imunitetin Ilir Metës, në atë kohë vetëm 22 vjeç me akuzën se ishte përfshirë në revoltën e Çorovodës.

Meta në atë kohë ishte deputet i Partisë Socialiste në Skrapar.

Kuvendi votoi pro heqjes se imunitetit. Ndërkohë që për deputetin Dritan Prifti u kërkua heqja e imunitetit në vitin 2001, por ishte vetë Prokuroria e Përgjithshme që pas disa muajsh tërhoqi kërkesën.

Top Channel