Ku është Mubarak?

14/02/2011 17:35

Pas ikjes nga pushteti është i paqartë fati i ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak. Mbi gjëndjen e tij shëndetësore vijnë një seri konfirmimesh dhe përgënjeshtrimesh.

Nga SHBA vjen një konfirmim. Ambasadori amerikan në Kajro ka konfirmuar se Mubarak është i sëmurë rëndë.

“Po ndjek me vëmendje lajmet e publikuara në media mbi Mubarak dhe nuk e mohoj se kam marrë komunikime se ish-presidenti është në gjendje të rëndë”, ka deklaruar ambasadori Sameh Shoukry për NBC.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se nuk ka informacione të mjaftueshme dhe se për këtë arsye nuk dëshiron të spekulojë.

Ndërkohë, gazeta “Al Masri Al Youm” ka hedhur hipotezën se Mubarak ka hyrë në gjendje kome natën e së shtunës në rezidencën e tij në Sharm el Sheikh.

Sipas burimit, familjarët kanë vendosur të mos ta cojnë në spital, por ta mbajnë nën mbikëqyrje mjekësore në rezidencën e tij, ku mbërriti pas dorëheqjes së të premtes.

Një shtrim i tij në Gjermani ishte parashikuar më parë, por tani duket se familja nuk ka vendosur ende nëse ta dërgojë jashtë për t’u mjekuar, apo ta lërë në vendin e tij.

Ndërkohë, gazeta “Stern” shkruan se familja e presidentit të rrëzuar ka lënë Egjiptin që prej së martës së kaluar dhe aktualisht ndodhet në një pallat të sheikut Sultan bin Mohammed Al Kasim, ku më vonë ka mbërritur edhe vetë Mubarak.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe është arratisur edhe ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Rashid Mohamed, një nga personat më të afërt të Mubarak.

Ndërsa “Washington Post” dyshon se ish-kreu i shtetit ka lënë Sharm el Sheikh që prej së premtes dhe ka mbërritur në Gjermani përmes një avioni të vënë në dispozicion nga “Air Arabia”.

Por, zëdhënësi i kancelarisë së Berlinit ka deklaruar se: “Nuk është as në Gjermani dhe as rrugës për në Gjermani”.

Top Channel