Egjipt, protesta me karakter ekonomik

14/02/2011 15:10

Protesta të reja u mbajtën gjatë ditës në Egjipt, ndërsa demonstruesit kanë kaluar nga protestat me karakter politik, në ato ekonomike.

Me dhjetëra mijëra persona u grumbulluan sërisht në sheshin Tahrir dhe rrugët e tjera kryesore të Kajros, duke kërkuar rritje pagash nga junta ushtarake që do të drejtojë vendin në gjashtë muajt e ardhshëm.

Sipas BBC, ishin punonjësit e bankave, transporteve dhe turizmit ata që formuan turmat e ditës së sotme.

Protesta u zhvillua e qetë, me policinë dhe forcat ushtarake që shprehën solidarizim me protestuesit.

Që prej dorëheqjes së presidentit Hosni Mubarak, miniprotesta po zhvillohen çdo ditë në Egjipt dhe shumica e tyre kanë karakter ekonomik.

Autoritetet ushtarake që do të drejtojë vendin deri në shtator, kanë një sfidë të madhe përpara në pengimin e grevave të urisë, që mund të riparalizojnë jetën normale të vendit me 84 milion banorë.

Top Channel