Berisha përshëndet rezolutën e PPE-së

14/02/2011 13:25

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur rezolutën e Partive Popullore Evropiane, të miratuar ditën e enjte duke e konsideruar si një akt historik.

Kreu i qeverisë, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka theksuar se me anë të këtij dokumenti dënohen përpjekjet e kreut të PS-së, Edi Rama për të marrë pushtetin me dhunë.

“Shpreh mirënjohjen më të thellë për asamblenë politike të Partisë Popullore Evropiane për rezolutën e saj kushtuar zhvillimeve në Shqipëri. PPE është grupi më i madh dhe i fuqishëm në Evropë, grupimi i 75 partive të qendrës së djathtë që kanë ndërtuar Evropën e pas luftës dhe sot janë shumicë dërrmuese në KE dhe PE. Këto parti me të cilat PD ka pasur lidhje organike që në themelimin e saj, pas një shqyrtimi të hollësishëm të zhvillimeve në Shqipëri, informacioneve të dërguara nga PD dhe qeveria shqiptare, ka miratuar në forumin e saj në unanimitet një dokument historik për PD-në dhe forcat demokratike shqiptare”, është shprehur Berisha.

“Rezoluta dënon në një rast unik për një vend të lirë që nga lufta e dytë botërore deri më sot përpjekjet e Ramës në krye të PS-së për të përmbysur me dhunë qeverinë legjitime të Shqipërisë. Kjo përbën një ndëshkim madhor ndërkombëtar për kryetarin e PS-së dhe atë grup bllokmenësh të rinj që në krye të saj rikthyen PS-në në një parti dhune për ta marrë pushtetin. Kjo përbën njëkohësisht një nga qendrimet më të prera që është mbajtur ndonjëherë në historinë e Evropës, ndaj një spektri politik”, theksoi Berisha.

Top Channel