ÇEZ çon në prokurori 1064 konsumatorë

14/02/2011 12:10

Kompania çeke CEZ, pronare e OSSH-së, ka vendosur t’i shkojë deri në fund betejës me konsumatorët që nuk i paguajnë faturat e dritave.

Niveli i lartë i borxheve, i vjedhjes së energjisë elektrike në rrjet dhe i konsumatorëve që nuk pranojnë të paguajnë, për shkak të pamundësive ekonomike dhe mentalitetit, ka detyruar CEZ-in të krijojë disa grupe të posaçme kontrolli, të përbërë nga 3-4 veta dhe të trokasë në çdo derë debitori.

I gjithë procesi për të rritur performancën e kompanisë sa u takon borxheve po kryhet në bashkëpunim me organet e rendit dhe të drejtësisë, të cilat janë përpjekur të japin ndihmesën, sidomos gjykatat.

Gazeta “Shqip” ka mundur të sigurojë të dhënat lidhur me aksionet e kryera ndaj lidhjeve të dyfishta dhe debitorëve, nga mësohet se deri tani në prokurori kanë përfunduar 1064 konsumatorë të energjisë elektrike. Dosjet e tyre janë të plotësuara me fakte për vjedhje të energjisë elektrike, të dokumentuara nga CEZ-i. Nga shqyrtimi i hetimeve rezulton se prokuroria ka mbyllur çështjet për 560 raste, ndërsa të tjerat janë në proces verifikimi.

Burime zyrtare të kompanisë çeke bëjnë me dije se, procesi deri te mbërritja në dyert e prokurorisë është i gjatë, që përmban negocime dhe paralajmërime me konsumatorët.

“Nuk është qëllim në vetvete dënimi i tyre, por krijimi i ndërgjegjësimit se energjia elektrike është një mall që duhet paguar”, sqaron CEZ Shpërndarje. Kompania thotë, ndër të tjera, se konsumatorëve u është dhënë mundësia e bashkëpunimit për t’i paguar detyrimet në mënyrë graduale me këste, janë paralajmëruar disa herë për gabimin që bëjnë dhe kur është konfirmuar se nuk ka asnjë shenjë për zgjidhje, atëherë u është drejtuar organeve të drejtësisë.

Sa u takon çështjeve, rreth 293 konsumatorë të energjisë kanë përfunduar në dyert e gjykatave, ku 203 prej tyre janë dënuar. Rreth 138 persona kanë marrë ndëshkimin me gjoba që shkojnë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.

Ka pasur edhe plot raste kur debitorët kanë shkuar në burg. CEZ deklaron se për vitin 2010, janë 65 persona që kanë marrë vendimin për t’u dënuar me burg. Sa u takon gjykatave, shumë pak raste numërohen se debitorët t’i kenë apeluar vendimet, kurse si afate, vendimet merren brenda një koha relativisht të shkurtër.

Borxhet janë problemet kryesore të kompanisë. Edhe pse CEZ-i nuk jep shifrat e fundit zyrtare, të dhënat operative tregojnë për një nivel borxhi që e kapërcen nivelin e 150 milionë dollarëve. Problem për kompaninë çeke kanë qenë edhe institucionet shtetërore, të cilat nuk i paguan dritat për vite të tëra, sidomos ujësjellësit.

Përplasja me shtetin solli efekte negative zinxhir, siç ishte mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm kur CEZ stakonte dritat për ujësjellësin. Ndërhyrja e qeverisë në shtator të vitit të kaluar, duke paguar 20 milionë dollarë, zhbllokoi situatën mes CEZ-it dhe ujësjellësve.

Top Channel