Gardistët shpërdoruan detyrën

12/02/2011 16:00

I njëjti gjykatës, Shkëlqim Mustafa vuri para faktit policinë për t’u hedhur prangat mbrëmjen e të premtes edhe katër gardistëve të tjerë, pasi kishte dhënë për ta në mungesë masën e sigurisë arrest me burg për afatin e 30 ditëve.

Gardistët akuzohen të kenë shpërdorur detyrën, të paktën ky version jepet jo zyrtarisht, ndërsa nuk konfirmohet se për çfarë fragmenti gjatë ngjarjes se 21 janarit, dyshohen gardistët e arrestuar.

Por ndërsa ata pritet të dalin sërish para gjykatës këtë të hënë për njohjen e masës së shpallur në mungesë, burimet thanë se gjyqtari e ka dhënë këtë masë me afat, për t’i dhënë kohë prokurorëve të thellojnë hetimet e tyre mbi grupin e nënoficerëve të rolit bazë, që i përkasin njësisë operacionale.

Burimet u shprehën se gjykata i ka lënë në arrest me burg një mujor derisa të vijë nga Turqia ekspertiza e të ndjerin Aleks Nikaj që ndërroi jetë në këtë shtet.

Po kështu gjatë kësaj kohë prokurorëve u duhet të shpejtojnë hetimet për ta për të siguruar një ekspertize edhe nga laboratori i kriminalistikës, për të saktësuar se nga cila prej armëve ka dalë plumbi që vrau të riun lezhian, Aleks Nikaj.

Të arrestuarit për këtë çështje, janë gardistët Sadik Çela, Agron Malaj, Maks Nikolli dhe Gazmend Ahmetaj, të gjithë nënoficerë të rolit bazë në Gardën e Republikës.

Top Channel