Zvarritja e “Gërdecit”

11/02/2011 16:10

Pasi Gjykata dhe Dhoma e Avokatisë u përfshinë këto gjashtë ditë në një debat të fortë akuzash ku secila bën përgjegjëse palën tjetër për skadimin e afateve të paraburgimit të katër të pandehurve të çështjes “Gërdeci”, e për pasojë lirimin e tyre, ministri i Drejtësisë kërkon mbledhjen e KLD-së me rend dite gjetjen e shkaktarëve.

“Hetimi gjyqësor nuk ka dështuar, nuk mund të pranohet kurrsesi. Por tejkalimi i afateve është shumë shqetësues. Për të përcaktuar përgjegjësitë individuale janë institucionet e duhura, ndaj edhe vendimi im për t’ju adresuar KLD-së dhe masat që merren në këtë aspekt”, është shprehur Nishani.

Ministri tha se mbledhjen e KLD-së e ka kërkuar nisur nga situata shumë shqetësuese dhe e papranueshme e gjyqit “Gërdeci”, por edhe për gjyqe të tjera ku prishja e seancave gjyqësore është shoqëruar me mosmarrjen e masave administrative dhe penale për shkaktarët.

Ishte presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të KLD-së që akuzoi avokatët për zvarritjen e proçesit të Gërdecit, deklaratë e cila provokoi një reagim të dhomës së avokatisë e cila akuzoi gjykatën që, sipas tyre, është bërë palë me Prokurorinë.

“Shtyrje të tilla, vonesa të tilla të paarsyeshme, megjithëse i jemi adresuar vazhdimisht, edhe dhomës kombëtare të avokatisë, në mënyrë zyrtare nuk ka pasur ansjë reagim, qoftë në aspektin e marrjes së masave proçeduriale, qoftë edhe në ato administrative, bën të mundur që ky shqetësim i yni tashmë të adresohet së bashku në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në mënyrë që së bashku të diskutojmë dhe të vendosim të gjitha hapat e mëtejshëm, duke parë respektimin e proçedurës dhe cilët kanë qenë shkelësit e proçedurës gjatë gjykimit”, tha Nishani.

Top Channel