Rama: Privatizimet, grabitja e radhës

11/02/2011 13:20

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se qeveria Berisha, me projektin e
saj për të privatizuar 1280 objekte shtetërore synon të grabisë më tej
pasuritë e shqiptarëve.

Në një deklaratë për mediat, Rama është shprehur se kjo grabitje është një arsye më shumë që qytetarët shqiptarë të dalin në protestë më 18 shkurt.

“1280 pasuri të popullit, Saliu deklaroi se do t’i privatizojë, pra do t’i grabisë para zgjedhjeve lokale. A ka shqiptar që nuk e kupton se cfarë rëndësie ka për ekonominë e tij familjare dalja në protestën e 18 shkurtit? Njësoj si kusaria që pa mbarë bota, do të bëhet edhe privatizimi i institucioneve për dhjetra miliona euro”, ka deklaruar Rama.

Rama ka theksuar protesta e 18 shkurtit ka si qëllim vetëm e vetëm rrëzimin e këtij pushteti kusarësh, që sipas tij po varfëron shqiptarët.

“Më 18 shkurt, në bulevard për të kërkuar dorëzimin e bllokut të ndyrë të kusarive që po shkatërron Shqipërinë. Më 18 shkurt në bulevard për t’u hequr të drejtën e firmës kusarëve në pushtet, që s’kanë asnjë qëllim tjetër përvec grabitjes deri në palcë të Shqipërisë”, ka pohuar Rama.

“Ato quhen prona publike të shtetit shqiptar, që qeveria i administron në interes të publikut. Ky privatizim është një banditizëm kacakësh që kanë vjedhur votat pikërisht për të vjedhur Shqipërinë. Ja pse beteja jonë do vazhdojë më 18 shkurt e më tutje me demonstrata intensive, pa u ndalur. Paqësisht, por vendosmërisht”, ka vijuar ai, duke akuzuar kryeministrin se po sulmon opozitën në mënyrë barbare.

“Kryetari i mazhorancës shan dhe fyen si pijanec opozitën, bashkë me kryetaren e Kuvendit. Ja pse do vazhdojmë protestat tona”, është shprehur Rama.

Sipas tij, qeveria është përfshirë në afera që kanë të bëjnë edhe me OSSH-në, ARMO-n, Albtlelekomin dhe një nga dy fabrikat që kontrollojnë mjellin e përdorur për bukë në Shqipëri.

Rama ka paralajmëruar se partia e tij, kur të vijë në pushtet do të hetojë dhe do të bëjë transparencën e procesit të privatizimit të 1280 objekteve shtetërore, duke theksuar se është në dijeni për destinacionin e financave të tyre.

“Ne nesër me këto pasuri do bëjmë dy gjëra: e para, disponojmë informacion të konsiderueshëm për destinacionin e këtyre pasurive, ku janë nisur shumica e këtyre pasurive që sot janë të popullit ndërsa nesër do të kalojnë në duar që i dimë. E dyta, pikërisht sepse ky nuk është proces privatizimi, por një proces plackitjeje, ne do ndërtojmë një proces transparence të paparë, sapo të jemi në qeveri. Dhe jo vetëm do zmbrapsim cdo proces privatizimi të korruptuar për cdonjërën nga këto pasuri, por do t’i shkojmë deri në fund edhe transparencës për burimet e pasurisë të cilitdo që do të marrë në zotërim pasuritë e këtij populli përmes proceseve të korruptuara”, ka shtuar Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA