QSUT, instalohet autoklava e re

10/02/2011 16:55

I jepet zgjidhje problemit të hershëm të mbetjeve spitalore të cilat deri më tani digjeshin apo hidheshin vend e pa vend, duke ndikuar jo vetëm në ndotjen e mjedisit, por duke riskuar jetën e qytetarëve dhe pacientëve.

Në ambjentet e QSUT-së është instaluar një hidroklave për mbetjet spitalore, e cila nuk do t’i djegë por do t’i neutralizojë, duke i shndërruar ato në mbetje normale urbane.

Ministri i Shëndetësisë, Petrirt Vasili i ka vënë kycin autoklavës së vjetër, e cila funksiononte në mënyrë mekanike.

“Teknologjia është bashkëkohore, përdoret në tërë spitalet. Mbeturinat bëhen 100% të padëmshme, nuk kanë asnjë rrezik infektimi dhe i japim një goditje tjetër infeksioneve spitalore”, ka deklaruar Vasili.

Procesi i djegies së mbetjeve në autoklavën e re kryhet me anë të avullit, në një temperaturë 145 gradë celicus, në një proces që zgjat 40 minuta. Kapaciteti i saj është rreth 60 kg mbetje spitalore në 40 minuta.

Pasi neutralizohen, këto mbetje paketohen dhe dërgohen në landfillin e Sharrës. Vetëm në Qendrën Spitalore Universitare prodhohen 2554 kg mbetje spitalore në ditë, nga të cilat 383 kilogramë janë të rrezikshme.

Modernizimi i sistemit shëndetësor është një projekt i Bankës Botërore, e cila vetëm për pajisjen me autoklavë të spitaleve dhe materniteteve të Tiranës, përfshirë dhe Institutin e Shëndetit Publik, spitalin e Korcës dhe Shkodrës, ka financuar mbi 1.5 milion dollarë.

Top Channel