Obama, sondazhet kundër rizgjedhjes

10/02/2011 16:05

Ndërsa presidenti Barack Obama ka hyrë në vitin e tretë të mandatitit të tij, zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 duken gjithmonë e më parë.

Në një sondazh të publikuar sot në rrjetin informative amerikan CNN, nëse ato zgjedhje do të mbaheshin në shkurt, presidenti aktual nuk do të mund të rifitonte një mandat të dytë.

Në sondazhin në fjalë, 26% e pjesëmarrësve votuan pro zgjedhjes së Obamës dhe 37% kundër. Duke llogaritur mënyrën tradicionale se si kanë votuar të pavendosurit, del se për momentin, 47% janë pro presidentit dhe 51% kundër.

”Çfarë do të thonë këto shifra dy vjet përpara se të mbahen zgjedhjet? Praktikisht asgjë, pasi shumë gjëra mund të ndryshojnë deri atëherë. Megjithatë, është e qartë që rizgjedhja nuk do të jetë aspak e lehtë për presidentin Obama”, deklaroi një politikan me përvojë dhe analist i CNN-it, Ed Rollins.

Në analizën e tij, eksperti shtoi se shumë do të varet edhe nga figura e kundërshtarit që republikanët do të vendosin përballë Obamës. Ndryshe nga tradita e kësaj partie, nuk duket se ka një figurë të qartë që mund të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel