Egjipt, kërcënon kriza e naftës

10/02/2011 17:45

Egjipti luan një rol madhor politik, por edhe ekonomik në Azinë perëndimore, ku prodhohet një pjesë e mirë e naftës globale.

Në rajon ndodhen dy të tretat e rezervave të arit të zi dhe gati gjysma e atyre të gazit. Kriza që ka përfshirë egjiptin në javët e fundit rrezikon ta cojë cmimin e naftës në maja të reja për shkak të pasigurisë që po rrethon furnizimet, sidomos pas grevës së punëtorëve të shërbimit në kanalin e Suezit.

Bursat botërore nuk është se kanë patur ndonjë reagim të menjëhershëm ndaj situatës, por nervozizmi në tregje ka filluar të shtohet. Një fuci e naftës bruto amerikane për momentin kushton 90 dollarë.

Vende si Kuvajti mendojnë se me vazhdimin e trazirave në Kajro, cmimi i saj mund të shkojë deri në 110 dollarë. Edhe më drastike janë vlerësimet e Venezuelës, që profetizon se mbyllja e kanalit të Suezit do ta bëntë një fuci nafte të kuotohet në 200 dollarë.

Ekspertët thonë sidoqoftë se nuk ka vend për panik, por as për të ndenjur duarkryq. Të këtij mendimi, sipas “Deutsche Welle”, janë edhe punonjësit e bursës së Frankfurtit, si edhe shumë investitorë që kanë depozituar të ardhurat e tyre në Egjipt dhe në vende të tjera në ekspansion ekonomik, e që tani kanë nisur t’i tërheqin paratë për t’i kaluar në bankat e vendeve të industrializuara.

Lëvizje të tilla nuk kanë të bëjnë megjithatë vetëm me krizën akutuale politike në Afrikën e Veriut, por edhe me ciklin konjunkturor të vetë shteteve në ekspansion ekonomik.

Top Channel