Countryman: 21 janarin ta zbardhë drejtësia

09/02/2011 19:10

Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Thommas Countryman, gjatë vizitës së tij në Tiranë ka theksuar se tragjedia e 21 janarit duhet të zbardhet nga drejtësia, ndërsa kriza politike të zgjidhet përmes dialogut.

“Nevojitet një zgjidhje sa më e shpejtë e krizës, rivendosje e dialogut politik, një hetim tërësor, profesional dhe i ekuilibruar, që do të vërtetonte funksionimin e shtetit të së drejtës, qëndrueshmërinë e institucioneve të pavarura e kushtetuese, si dhe demokracinë funksionale të një vendi anëtar të NATO-s”, ka deklaruar Countryman gjatë takimit me presidentin e Republikës, Bamir Topi.

Nga ana e tij, presidenti shqiptar ka shprehur angazhimin që, në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve, të mbështesë drejtësinë shqiptare në zbardhjen e kësaj cështjeje kaq delikate.

“Po përjetojmë një moment tepër vendimtar, kur drejtësia shqiptare duhet të dëshmojë përpara qytetarëve të këtij vendi integritetin e saj profesional dhe moral, zotësinë për të hetuar, gjykuar e marrë vendime e pavarur nga presionet dhe ndikimet politike”, ka deklaruar Topi.

Sipas tij, “një gjë e tillë do të ishte një kontribut thelbësor në rrugën për zgjidhjen e kësaj krize të pashembullt që pikësëpari duket se ka marrë peng shpresën e shqiptarëve jo vetëm për kapërcimin e saj, por dhe të alternativave që do iu ofrohen atyre nga forcat politike për të projektuar të ardhmen”.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Tiranë Alexander Arvizu, kreu i shtetit ka shprehur gjithashtu angazhimin e tij për të rivendosur dialogun politik në vend.

Top Channel